
Rreth 1500 efektivë të Policisë së Shtetit do të jenë në gatishmëri për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të Samitit Europian që do të mbahet në Tiranë. Që prej orëve të para të mëngjesit, njësi të specializuara si Antiterrori, Antieksplozivi dhe Reparti RENEA janë vendosur në Aeroportin e Rinasit, si dhe në pika të tjera kufitare, ku pritet të mbërrijnë liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, e gjithë zona e Tiranës do të jetë nën monitorimin e forcave speciale dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit, për arsye sigurie.
Policia ka parashikuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, veçanërisht në ato që lidhin Aeroportin e Rinasit me qytetin e Tiranës. Konkretisht, më datë 16 maj, nga ora 06:30 deri në orën 11:30, do të bllokohen segmentet e mëposhtme:
- Aeroporti i Rinasit
- Hyrja në autostradën e re “Thumanë–Kashar”
- Mbikalimi i Kasharit
- Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja”
- Unaza e Re (krahu i Astirit)
- Rrethrrotullimi i Saukut
- Deri te hotelet ku do të akomodohen liderët europianë
Pas orës 11:30, ky aks do të hapet pjesërisht, për t’u bllokuar sërish nga ora 13:00 deri në orën 18:00.
Rrugët e bllokuara brenda Tiranës, më 16.05.2025 (ora 06:00–18:00):
- Sheshi “Skënderbej”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri në kryqëzimin me rrugën “Myslym Shyri”
- Rruga “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova” deri te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
- Rruga “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Myslym Shyri” deri te Rruga e Kavajës
- Rruga “Ded Gjo Luli”
- Rruga “Urani Pano”, në vijim deri te Rruga e Barrikadave dhe kryqëzimi me rrugën “George W. Bush”
- Bulevardi “Zogu I”
Masat e Policisë edhe për protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha
Përveç masave të sigurisë për Samitin, Policia e Tiranës është angazhuar edhe për menaxhimin e protestës së paralajmëruar nga Sali Berisha. Autoritetet kanë vendosur të zhvendosin me 300 metra më tej vendin e antimitingut të thirrur për pasditen e së premtes, për shkak të afërsisë me zhvillimet e samitit dhe pranisë së liderëve europianë në qytet.
Partia Demokratike nuk mori leje për të protestuar në Bulevardin “Zogu I”, pasi Policia vlerësoi se kjo do të cënonte sigurinë e aktivitetit. Në vend të kësaj, protestës iu propozua zhvillimi në Bulevardin e Ri, pranë zonës së Paskuqanit — aty ku u mbyll edhe fushata elektorale e PD-së. Fillimisht, PD kishte njoftuar protestën në këtë vend, por një ditë më parë Berisha deklaroi se do ta zhvendoste më pranë zonës ku mbahet samiti, vendim i cili u kundërshtua nga Policia për arsye sigurie.