JiL.al - Jeto i Lumtur

Në Rinas, 19 mijë avionë në tre muaj!

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Nga Fatos Çoçoli

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave INSTAT, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar në tremujorin e dytë prill-qershor 2024 102 mijë e 916 avionë, me 81.9 përqind e tyre si mbikalime. Kjo do të thotë se në periudhën prill-qershor 2024, në Rinas janë ulur ose ngritur 18.1 përqind e tyre, ose rreth 19 mijë avionë. Me një mesatare 212 avionë në ditë. Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit në tremujorin e dytë 2024 ka shënuar shtim në pasagjerët e tij me afro 65 përqind, ose mbi 2.8 milionë pasagjerë, nga 1.7 milionë pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në fund të dhjetorit 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit rregjistroi shifrën rekord të 7.2 milionë pasagjerëve. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë (në anglisht, Airports Council International Europe) dhe platformës së specializuar të të dhënave të trafikut ajror civil ndërkombëtar Cirium, në periudhën janar-prill 2024, Rinasi përfaqësonte aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë, me mbi 200 përqind të pasagjerëve, krahasuar me vitin 2019.

Prania e dy kompanive me emër të botë, që fluturojnë me çmime të ulura, Wizz Air dhe Ryan Air, ka sjellë jo vetëm parkimin e përhershëm të avionëve të tyre në hangarët e Rinasit, jo vetëm rritjen e fortë të vizitorëve të huaj tek ne, por edhe vizitat e shpeshta të qytetarëve tanë jashtë vendit. Për fluturimet në Rinas dhe nga Rinasi, janë në dispozicion këtë vit mbi 14.7 milionë bileta. Po ta marrim me llogjikë të thjeshtë ekonomike, rritja e numrit të pasagjerëve sjell ulje të çmimit, pasi kemi më shumë fluks pasagjerësh. Gjithashtu, edhe qeveria ka bërë punën e saj, me uljen e taksave dhe tarifave portuale. Madje disa taksa i ka hequr fare. E gjitha kjo shkon në interesin e qytetarit, që blen bileta më të lira dhe ka mundësi të udhëtojë edhe më shpesh. Madje jo vetëm qytetarit të Shqipërisë. Nga Rinasi udhëtojnë me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi. Për ta, shumë destinacione, sidomos ato me Italinë, kushtojnë në Rinas dy ose tre herë më lirë se nga Prishtina, Shkupi apo Podgorica.

Investimet në Rinas sot janë të domosdoshme. Bumi turistik nuk i la kohë koncensionarit dhe aeroportit të bënin investimet e duhura. Investimet erdhën shpejt, por rëndësi ka që afatet të kapen. Dhe kryesorja, që këto investime të bëhen si duhet. Pista e aeroportit ka pasur një degradim gjatë këtyre viteve dhe tani nuk është problem vetëm rritja e gjatësisë së pistës. Problem është edhe riasfaltimi i shtresës së sipërme të pistës, rrugëve lidhëse të saj, planifikimi i vendeve të reja për parkim avionësh, pasi po shtohet numri i tyre. Këto investime janë tejet të domosdoshme. Shifra e 10 milionë pasagjerëve në Rinas është më se e arritshme ndoshta edhe këtë vit. Me 2.8 milionë pasagjerë vetëm për periudhën prill-qershor 2024, dhe me një rritje shumë të fortë të pritshme për tremujorin tjetër korrik-shtator, Rinasi mund të kapë shifrën e 10 milionë pasagjerëve si vëllim pune që këtë vit. Pavarësisht se fillimisht kjo shifër ishte menduar të arrihej në vitin 2030!

Koncesionari i ri kreu 100 milionë euro investime në vitet e fundit, shtoi hapësirat për pasagjerët. Mirëpo nuk duhet të harrojmë që nuk është vetëm terminali i pasagjerëve. Duhet të kemi investime themelore në apron, në vendqëndrimin e avionëve. Deri pak kohë më parë, vendqëndrimet kanë qenë 17. Tani janë bërë 21 dhe duhet të jenë minimumi 30 vendqëndrime. Aeroporti duhet të bëjë ndarje më të mirë të avionëve, që ata të vijnë, të ulen dhe të lënë radhën për avionin e radhës. Aeroporti i Rinasit është aeroport kryeqyteti. Njerezit preferojnë të zbresin në kryeqytet si, p.sh. biznesmenët, qeveritarët, delegacionet e huaja, turistët, por edhe emigrantët që kanë blerë shtëpi në Tiranë. Tirana numëron sot mbi 1 milion e gjysëm banorë, së bashku me Durrësin, Krujën dhe Elbasanin. Kjo masë pasagjerësh do t’i mbetet Tiranës, kurse Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë kryesisht për fluturimet turistike. Do të ketë turistë që duan të shkojnë afër detit dhe të evitojnë rrugën e gjatë me makinë, apo mjete të tjera.

Ndërkohë, një pyetje ngrihet: a do të vazhdojë Rinasi të prese me dhjetëra e qindra mijëra qytetarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që zgjedhin të mos fluturojnë nga Prishtina, Shkupi apo Podgorica, por nga Rinasi? Përgjigjja është “Po!”. Ata do të jenë gjithnjë e më të shumtë, për sa kohë çmimet janë shumë më të lira në Rinas dhe ka një shumëllojshmëri të madhe të destinacioneve që mund të arrihen nga ky aeroport. Pyetja tjetër që ngrihet është: edhe sa kohë do të vazhdojë kjo mrekulli e Rinasit, me biletat më të lira në botë, sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”? Përgjigjja është e thjeshtë. Për sa kohë Shqipëria vijon të jetë atraksion turistik dhe, nga ana tjetër, nëse qeveria do të vazhdojë me këto masa lehtësuese të ndërmarra deri tani.

Scroll to Top