Karim Benzema, tani lojtar i Al-Ittihad në Arabinë Saudite, nuk e harron të shkuarën e tij me mbretërorët madrilenë. Atje ka bërë historinë, ndaj nuk ka ngurruar ta vitizojë ekpin e bardhë në hotelin ku po qëndron, në Jeddah, në prag të Superkupës së Spanjës.
Kujtojmë se skuadra e Ancelottit do ta luajë nesër në mbrëmje finalen kundër Barcelonës për këtë trofe. Duke folur për “Marca”, sulmuesi veteran francez ka analizuar eksperiencën saudite me Al-Ittihad dhe lidhjen e pandashme shpirtërore me Real Madridin:
“Sezonin im me Al-Ittihad po shkon mjaft mirë. Tifozët po argëtohen, edhe klubi është i kënaqur. Gjithçka duket perfekte, jemi në rrugën e duhur për të arritur objektiva të rëndësishëm këtë sezon. Natyrisht, kemi ende shumë për të bërë. Në fushë jap gjithçka për skuadrën dhe tifozët, shpresoj që ata të jenë të kënaqur me çfarë po bëj”.
Natyrisht, nuk mund të mungonte rikonfirmimi i dashurisë së paprekur ndaj klubit madrilen, ku bëri historinë, edhe pse është larguar që andej: “Real Madridi është gjithmonë Real Madridi, domethënë është një skuadër që fiton gjithçka ku garon. A më mungon? Po, është klubi im. Kam kaluar gjysmën e jetës time aty dhe ndihem si në shtëpinë time. Gjithmonë i shikoj ndeshjet e Real Madridit”.
Në këtë vizitë që i bëri Real madridit në hotelin ku është akomoduar, në prag të finales së Superkupës Spanjolle, franceze zbuloi se e ka këshilluar Vinicius Junior për diçka: “Me Vinicius kemi folur për ‘Topin e Artë’, por thelbësisht ishte një bisedë me të gjithë, për gjëra të thjeshta, për jetën. Çfarë i thashë? Të mos dekurajohet, të mos e ulë asnjëherë intensitetin, sepse ai është më i miri në botë dhe një ditë do ta fitojë ‘Topin e Artë’. Jam i bindur për këtë”.
Fjalë “mjalti” për ish-trajnerin e vet, Ancelotti, dhe presidentitn Florentino Pérez: “Carlo është një trajner i shkëlqyer. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të, si dy miq. Florentino Pérez? Nuk ishte aty. Kam folur me të në WhatsApp dhe i kam thënë që duhet të takohemi. Duke qenë se ai do të vijë, do ta shoh para finales dhe do të bisedojmë”.
Tani po luan në Arabinë Saudite, por nuk e përjashton mundësinë e rikthimit te Real Madridi, ndoshta me rol drejtues, jo si futbollist: “A më kalon mendja për një rikthim? Po, sigurisht, pse jo. Momentalisht jam në Jeddah dhe ndihem shumë mirë. Do të vijë momenti për të parë si do të shkojë jeta dhe sigurisht që do të mendoj për Madridin”.
Vitet po ikin, mosha bëhet pengesë për cilindo futbollist, ndaj ekzistojnë edhe lamtumirat. Gjë të cilën Benzema nuk e ka çuar ende në mendje, edhe pse është 37 vjeç: “A mund të tërhiqem nga futbolli? “Jo, jo. Janë fjalë të dikujt që nuk më njeh fare. Budallallëqe. Nuk kam asnjë limit deri tani, për të thënë që pas dy, tri ose katër vitesh do të largohem nga futbolli. Ndihem mirë, falë Zotit. Trupi im është në formë. Po përgatitem mirë dhe do të shohim çdo vit se si do të ndihem”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin