4 të arrestuar/ Goditet grupi i strukturuar kriminal në Fier për trafik të armëve dhe prodhim të lëndëve narkotike. Emrat

Jil
Jil
3 Min Read

Katër persona janë vënë në pranga si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në Fier e Lushnje për trafikimin e armëve si dhe prodhimin, shitjen dhe kultivimin e lëndëve narkotike.

Përfaqësues të prokurorisë dhe policisë së Fierit bënë me dije se hetimet për këtë grup zgjatën për gjashtë muaj.

Përveç Fierit e Lushnjes, grupi vepronte dhe jashtë këtij qarku, në Durrës, Shkodër e Kukës.

Siç bëri me dije drejtori i policisë së Fierit, Skënder Hita, në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në Morinë.

Më 2 Qershor janë zhvilluar 13 kontrolle në ambiente banimi, automjete, magazina dhe sipërfaqe toke ku janë gjetur municione, armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Janë sekuestruar: 4 mijë fidanë kanabis, 5 mijë fara kanabis, tre armë zjarri automatike, dy armë gjahu, një pistoletë, 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy radio si të policisë, dy uniforma policie, një maskë plastike me paruke, tre automjete dhe dhjetë celularë.

Sa i përket të arrestuarve, ata janë persona me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe me precedentë të mëparshëm në fushën e lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë:

Boran Buzi – 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

Niko Osma – 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;

Qamil Shurdhi – 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;

Besim Buzi – 33 vjeç, banues në Divjakë.

Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë një 51-vjeçar nga fshati Peshtan i Fierit, i arrestuar më parë për kundërshtim të efektivëve të policisë.

“Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale. B. B dhe Q. Sh. ishin organizatorët e grupit. Anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve. Njëkohësisht, kryetari i grupit, B. B., organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit”, tha drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hita.

Autoritetet thonë se operacioni i koduar “Procedimi” është në vijim për të identifikuar dhe kapur personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania