Rrahje masive në Bulqizë. Policia vuri në pranga dy vëllezër Azem dhe Pelikron Osmani dhe procedoi penalisht 5 të tjerë, të cilët u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin.
‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas marrjes së njoftimit se në një lokal në fshatin Trebisht, po ndodhte një konflikt midis disa shtetasve, shkuan menjëherë në adresën e dhënë.
Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë bënë të mundur neutralizimin dhe shoqërimin në Komisariat të personave të përfshirë në konflikt, që mund të kishte pasoja për jetën.
Nga veprimet e shpejta rezultoi se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në ambientet e një lokali në fshatin Trebisht, shtetasit A.O., P.O., dhe H.O., janë konfliktuar fizikisht me shtetasit B.Z., E.D., P.D., dhe I .D., duke përdorur dhe sende të forta ndaj njëri-tjetrit.
Si pasojë e konfliktit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit P.D., dhe I.D., të cilët ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A.O., 32 vjeç; – P.O., 45 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.
Si dhe nisi procedimi penal për shtetasit B.Z., H.O., E.D., P.D., dhe I.D., për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme’, citohet në njoftim.