Sulmohen rojet dhe rrëmbehen anëtarët e stafit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Garda Kombëtare e Rusisë tha se snajperët e saj i kanë vrarë katër pengmarrësit në burgun e rajonit veriperëndimor Volgogard, pasi ata kryen një sulm vdekjeprurës ndaj rojeve dhe i morën peng disa pjesëtarë të stafit.

rusi

Shërbimi i Burgjeve të Rusisë (FSIN) tha në një komunikatë se katër roje burgu vdiqën të premten, pasi katër të burgosur i morën peng tetë roje dhe katër të burgosur të tjerë në burgun nr. 19 të sigurisë maksimale në qytetin Surovikino, në rajonin Volgogard.

“Ata u shkaktuan plagë të ndryshme me thikë katër punonjësve të burgut, tre prej të cilëve vdiqën si pasojë. Katër të tjerët, të cilët rezistuan, u dërguan në spital, njëri prej tyre vdiq në spital”, tha FSIN, duke shtuar se katër të burgosur të tjerë u plagosën gjatë krizës me pengje.

Mediat raportuan se disa njerëz vdiqën dhe se incidenti ndodhi kur një komision disiplinor u mblodh për një takim në këtë burg.

Kanalet në Telegram, të lidhur me shërbimin e burgjeve, publikuan një video që shfaq katër të burgosurit, të cilët e quajnë veten “luftëtarë të Shtetit Islamik”. Ata shihen me thika në duar duke qëndruar pranë tre trupave në uniformë të FSIN-it dhe pranë një personi tjetër të plagosur.

Një kanal tjetër në Telegram i identifikoi katër të burgosurit, dy nga Uzbekistani dhe dy nga Taxhikistani. Tre prej tyre po kryenin dënime me burgim për droga të jashtëligjshme dhe për shkaktimin e lëndimeve të rënda një personi. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Në një video tjetër, një i burgosur thekson se rojet e burgut “i kanë shkelur të drejtat e myslimanëve”.

Një i burgosur tjetër përmes një video i bën thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, t’i plotësojë kërkesat e të burgosurve dhe thotë se ka nevojë për mjek. Putin tha në televizion se është njoftuar për këtë incident nga shefi i FSIN-it.

Një video i shfaq katër të burgosurit duke qëndruar pranë një baneri me një mbishkrim arab. Ata brohorisin “Allahu Akbar!” (“Zoti është më i madhi!”), teksa njëri prej tyre e mban një burrë pa uniformë.

Kjo është hera e dytë që të burgosurit marrin pengje brenda një burgu rus këtë verë.

Në qershor, disa të burgosur morën pengje në një qendër ndalimi në qytetin Rostov-on-Don. Asokohe, zyrtarët rusë thanë se pengmarrësit ishin pjesëtarë të Shtetit Islamik.

Pesë pengmarrës u vranë dhe dy pengje u plagosën gjatë atij incidenti.

Një incident tjetër ndodhi në rajonin e banuar kryesisht me myslimanë, Dagestan, ku së paku 20 njerëz u vranë nga të shtënat në dy qytete të këtij rajoni jugor të Rusisë./rel

Scroll to Top