Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se vodhi në një banesë 15 000 euro.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet O.B., banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Key” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës. Vodhi 15 000 euro në një banesë, arrestohet 38-vjeçari.
Sekuestrohen shuma parash të dyshuara të vjedhura, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar, një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Key”.
Si rezultat i tij u arrestua shtetasi O. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ky shtetas dyshohet se më datë 25.08.2024, ka vjedhur shumën 15 000 euro në një banesë në Komunën e Parisit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të vjedhura, një automjet, dhe veshje të cilat autori i dyshuar i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. Materialet i kaluan Prokurorisë.