Gazetarja Eksiola Shehu është shprehur se kryeministri Edi Rama e ka paralajmëruar më parë, por edhe gjatë ditës së sotme në Asamblenë e PS, se pjesa më e madhe e Grupit të ri Parlamentar, pas zgjedhjeve të vitit 2025 do të përbëhet nga deputetë të rinj.
Komentet Shehu i bëri në një emision televiziv ku tha se PS po ikën nga ‘Rilindja’ e deputetëve të vjetër e me eksperiencë shumëvjeçare drejt ‘një gjaku të ri’.
Ajo tha gjithashtu se Rama i ka bërë të qarta pakënaqësitë kur ka kritikuar deputetët që nuk zhvillojnë takime në zonat e tyre elektorale, apo që zhvillojnë takime vetëm sa për të bërë fotografi.
Sipas Shehut, Rama e ka të qartë profilin e kandidatëve që pritet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 2025.
“Rama e ka të qartë profilin e kandidatëve që pritet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 2025. Ai ka shprehur pakënaqësi për grupin aktual parlamentar duke nisur nga takimet që nuk zhvillojnë në terren, apo disa takime apo minitakime që zhvillojnë vetëm për foto në rrjetet sociale.
Kam përshtypjen që pjesa më e madhe e grupit të PS që do prodhojnë zgjedhjet e 2025 do të jenë deputetë të rinj, në funksion të asaj PS-je që nga Rilindja tani do të shkojë jo tek ata që kanë 30 e kusur vite eksperiencë, por një gjak i ri. Edhe sot e nënvizoi pak Rama ‘të rinjtë e dekadës tjetër, atë të BE’.
Emrat më të rëndësishëm politikë do të jenë aty, por pjesa tjetër nuk do të jetë. Rama bëri me dije sot se nuk do të ketë më kandidatë me listë të mbyllur me më shumë se një mandat”, tha Shehu.