Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është tërhequr për të dhënë vendimin për vlerësimin e masës së sigurisë për Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Piro Xhixho dhe Ema Çokut.
Në një video të siguruar nga ABC News, shihet që Monika Kryemadhi vendimin për vlerësim masës po e pret në hollin e gjykatës.
Akuzat për Metën, Kryemadhin dhe të tjerët:
Ilir Meta, masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Monika Kryemadhi, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Piro Xhixho, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Ema Çoku, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.