Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e dokumentacionit për regjistrimin e emigrantëve që do të votojnë për zgjedhjet e 2025-ës. Për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, emigrantët duhet të dokumentacion që vërteton qëndrimin jashtë Shqipërisë dhe adresën nga ku votojnë.
Të dhënat e identitetit të shtetasit verifikohen nga KQZ-ja në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe, nëse ato janë të njëjta, bëhet nga DPGJC-ja regjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në një rubrikë të veçantë.
Gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të paktën një nga dokumentet e listuar më poshtë që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:
- Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës; 2. dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj, i lëshuar nga autoritetet përkatëse. 3. kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës; 4. dokument/e bankare (kontratë kredie, vërtetim/statement bankar etj), e cila përmban adresën e banimit; 5. kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë; 6. kontratë furnizimi ose faturë të energjisë (gaz ose elektrike) në banesë; 7. kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive; 8. kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë; 9. Leje drejtimi (patentë), në rastet kur shënohet adresa e banimit; 10. dokument të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni, apo tjetër të ngjashëm; 11. çdo dokument tjetër, i lëshuar në shtetin e huaj, që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e vetëdeklaruar jashtë vendit.
Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë, që aplikojnë në PER për regjistrim në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit, nuk mund të jetë më shumë se 6 (gjashtë).
Vetëm për shkaqe të përligjura, dhe pas paraqitjes së dokumentacionit provues ligjor, PER do të lejojë regjistrimin në të njëjtën adresë të më shumë se 6 shtetasve shqiptarë.