Javë me “vranësira” të dukshme ishte xhiro e pestë e kampionatit të koshit, lokalizuar në sfidën Kamza Basket-Teuta. Vendasit fitojnë me një diferencë të thellë 91-53 ndaj finalistëve të edicionit 2023-2024. Një ndeshje e dominuar nga fillimi me episode qetësie dhe tërbimi. Kanë vazhduar uljet e “temperaturave” në Fier, ku djemtë e Apolonisë kanë fituar në sekondat e fundit në rezultatin 86-83 ndaj Vllaznisë. Një ndeshje me rivalitet dhe emocion, që i kanë futur ethet jo vetëm protagonistëve të ndeshjes, por edhe ekipeve të renditura më lart e më poshtë të Superligës. Tirana-Besëlidhja duket “mot i mirë”, nuk surprizon rezultati, Besëlidhja dominuese dhe kryesuese që nga java e parë. Mbyllet takimi me shifrat 65-93. Dhe pas kësaj vijojmë me Fieri Basket në kategorinë e parë meshkuj, mundin me rezultat 3-shifror Pogradecin 78-104.
Njëjtë ka pësuar ekipi i Partizanit meshkuj, që luftën direkte për tu ngjitur në Superligë e ka me Elbasanin, por tashmë jo vetëm Elbasanin…. Mbetet për tu parë dhe renditja e kësaj kategorie. Kategoria e Femrave njëtrajtësisht vazhdon “mot me diell”, ku vërejmë Vllazninë në vendin e tretë, edhe pse treshja rivale e kësaj kategorie vazhdon të mbetet Tirana-Partizani-Flamurtari. Ndërkohë që kampionatin e karakterizon një situatë sinoptike me “mot të paqëndrueshëm, herë me diell e herë me vranësira”, vëmendja shkon edhe te Kombëtarja. Kështu, edhe zyrtarisht është shpallur lista e lojtarëve të ekipit kombëtar meshkuj të rritur në sfidën e radhës ndaj Austrisë. Një kombëtare pa Hysenagollin! Ndërsa në federatë mbyllen aplikimet për trajnerë të ekipeve kombëtare të moshave, në pritje të shpalljes së emrave zyrtarë të tyre.