Nga 1 dhjetori, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt ishullit vetëqeverisës të Tajvanit.
Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se regjimi pa viza vlen për poseduesit e pasaportave të rregullta, diplomatike apo zyrtare të Kosovës.
“Kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”, shkroi Ahmeti në Facebook
Ahmeti tha se lëvizja e lirë pa viza me Tajvanin do t’i hapë rrugë partneritetit ekonomik, shkëmbimeve në fushën e edukimit si dhe bashkëpunimit kulturor.
Tajvani e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.
Kina – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës që një ditë të marrë nën kontroll ishullin./REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.