Nga mjek në diktator brutal Shkëlqimi dhe rënia e Bashar al-Assadit

Editor
3 Min Read

Bashar al-Assad, presidenti i rrëzuar sirian, është larguar nga vendi të dielën, duke i dhënë fund sundimit të tij gati 24-vjeçar, gjatë të cilit Siria u shkatërrua nga një luftë civile e përgjakshme dhe konflikte me përfshirje rajonale e ndërkombëtare.

Kur Bashar al-Assad erdhi në pushtet në vitin 2000, ai shihej si një reformator i mundshëm. Ish-okulisti i arsimuar në Londër, me natyrë të qetë dhe të butë, dukej i ndryshëm nga babai i tij autoritar, Hafez al-Assad, i cili sundoi me grusht të hekurt për tre dekada. Hafez fillimisht kishte përgatitur Basilin, djalin e tij të madh, për të trashëguar pushtetin, por një aksident fatal në 1994 bëri që Bashar Al Assad të ishte trashëgimtari i pushtetit.Pas vdekjes së vëllait ai u kthye nga Londra, kreu shërbimin ushtarak dhe, pas vdekjes së babait, parlamenti ndryshoi moshën minimale për president, duke i hapur rrugën 34-vjeçarit për të marrë drejtimin e vendit. Në fillim të sundimit të tij, Bashar dhe gruaja e tij, Asma al-Assad, me origjinë britanike, paraqitën imazhin e një çifti modern dhe të përulur. Por kjo fasadë u shemb shpejt kur Bashar u përball me sfidat e para.

Në mars të vitit 2011, kryengritjet e “Pranverës Arabe” mbërritën në Siri, me protesta të popullit kundër regjimit të tij autoritar. Në vend që të ndërmerrte reforma, Assad përdori taktika brutale për të shtypur kundërshtarët, duke çuar vendin në një luftë civile të përgjakshme. Forcat qeveritare bombarduan qytete të tëra dhe përdorën dhunë ekstreme, duke shkaktuar zhvendosjen e miliona sirianëve dhe vdekjen e rreth 500,000 njerëzve.

Aleancat e tij me Iranin dhe Rusinë i dhanë mbështetjen e nevojshme për të mbijetuar politikisht dhe ushtarakisht, ndërsa Siria u kthye në një fushëbetejë për fuqitë rajonale dhe globale. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e akuzuan regjimin e tij për tortura, vrasje masive dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht në burgun famëkeq Sednaya, të quajtur “thertorja njerëzore”.

Në vitet e fundit, regjimi i Assadit kishte rimarrë pjesën më të madhe të territorit, ndërsa veriu i Sirisë mbeti në kontroll të opozitës dhe forcave kurde. Pavarësisht sanksioneve perëndimore, regjimi gëzoi një rikthim të pjesshëm në arenën diplomatike: Siria u ripranua në Ligën Arabe në 2023, dhe Arabia Saudite rihapi marrëdhëniet diplomatike.

Por situata ndryshoi me shpejtësi. Në nëntor, forcat opozitare nisën një ofensivë të befasishme, ndërsa mbështetësit kryesorë të Assadit, Rusia dhe Irani, të përqendruar në konflikte të tjera si lufta në Ukrainë dhe tensionet me Izraelin, nuk ndërhynë fuqishëm për ta mbështetur atë.

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *