Në datën 4 janar 2025 do të nisë aplikimi i tarifës së rrugës në segmentin e Korridorit Blu, Thumanë-Kashar. Njoftimi është bërë zyrtarisht nga shoqëria koncesionare “G2-INFRA”. “Ky aks i ri ofron një përvojë udhëtimi më të sigurt, më të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë”, njofton kompania koncesionare.
Në fillim të muajit nëntor zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se segmentin Thumanë-Kashar kishin kaluar mbi 2.5 milionë mjete, nga data 28 qershori deri më 30 shtator. Aksi rrugor Thumanë-Kashar, prej 21 kilometrash, autostradë e kategorisë A të Bashkimit Europian, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj, Lekaj – Fier, dhe Milot – Balldren u hap për qarkullim në fund të muajit qershor. Rruga ofron kushte e standarde të larta sigurie. Ky aks lehtëson ndjeshëm lëvizjen duke shmangur trafikun si dhe shkurtuar kohën e udhëtimit.