Rreth 1 muaj më parë 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa i plagosur mbeti Luis Meçja, shoku i viktimës. Prindërit e Martinit, Engjëll dhe Floriana Cani, përmes një letre të hapur, që ia drejtojnë edhe Ambasadës së SHBA, ngrenë shqetësimet se po tentohet të shpëtohen autorët, ndërsa kërkohet zbardhja e ngjarjes plotësisht. Autori i dyshuar i ngjarjes është lënë në masën e sigurisë arrest me burg edhe nga Gjykata e Apelit.
Në një emision televiziv, gazetarja Klodiana Lala tha se prindërit e Martin Canit janë në të drejtën e tyre legjitime për të kërkuar drejtësi për të gjithë ngjarjen. “Pika e parë që Engjëll dhe Florina Cani ngrenë shqetësim është se ata që duhet të garantonin sigurinë në shkollë, nuk kanë dhënë dorëheqjen”, tha Lala, duke iu referuar letrës. Në vijim gazetarja duke lexuar pjesë nga letra, theksoi se prindërit e Martin Canit kërkojnë dorëheqjen e atyre që kishin për detyrë të garantonin jetën e djalit të tyre, që përfshihen nga shkolla te autoritetet lokale dhe Ministria e Arsimit.
Nesër bëhet një muaj nga dita kur Martin Cani u vra dhe shoku i tij mbeti i plagosur. Nesër është njoftuar një tjetër protestë, që nis në orën 13:00 nga shkolla Fan Noli dhe ndalet te Ministria e Arsimit. Deri në këto momente nuk mendoj se ka një autor të dytë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha Lala.
Ajo tha se në rastin konkret, nisur nga provat dhe faktet, nuk mund të them se po manipulohet ngjarja. “Pjesëmarrës mund të jenë shumë fëmijë, por mendoj se nuk ka autorë të dytë”, tha Lala. Sipas saj, gjuha e përdorur nga Policia e Shtetit ndezi gjakrat, pati reagime të papranueshme.
Ajo tha se djali i tezes që Luis Meçjas përjashton mundësinë e një autori të dytë, ka ndodhur një ballafaqim mes tyre. “Në thikën e gjetur janë gjetur gjurmë gjaku te e njëjta thikë, qoftë të viktimës Martin Cani, ashtu edhe shokut të tij të plagosur Luis Meçja”, tha Lala.