Viti i kaluar u shpall si më i nxehti në historinë e matjeve globale të temperaturës që nga viti 1850, sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA).
Temperaturat globale mesatare ishin 1.46 gradë Celsius më të larta krahasuar me periudhën paraindustriale, kur njerëzit nuk kishin nisur ende djegien masive të karburanteve fosile, raportoi Guardian.
Këto rezultate përputhen me të dhënat e Bashkimit Evropian, të publikuara këtë javë, që tregojnë gjithashtu një rekord për vitin 2024, me një rritje prej 1.6 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial. Edhe NASA, e cila analizoi të dhënat e veta, konfirmoi se 2024 ishte një vit rekord, me temperatura 1.47 gradë Celsius mbi periudhën paraindustriale.
“Të gjitha analizat pajtohen. Tendencat afatgjata janë shumë të qarta,” tha Gavin Schmidt, një nga shkencëtarët kryesorë të klimës në NASA.