Asllani e sheh Interin në finale e Champions

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Adriatik BALLA

Kristjan Asllani po kalon momente mjaft të mira me Interin, pavarësisht se në ndonjë moment ai merr edhe kritika të forta nga opinionistët e specialistët italianë të futbollit. Kohët e fundit ai është angazhuar me Interin si titullar, kjo edhe për shkak të dëmtimit të Calhanoglu, ndërkohë që ka shfaqur një futboll cilësor e në rritje të vazhdueshme. Nga ana tjetër, mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Mario Mitaj, falë cilësisë së lojës së tij, kërkohet nga klubet arabe të blihet përfundimisht për 5 mln euro, aq sa ka kërkuar si dëmshpërblim Lokomotiva e Moskës që ta lerë të lirë. Situata me lojtarët e jerm të përfaqësueses vijon të jetë e mirë dhe Silvinjo ka marrë sinjale pozitive në këtë periudhë para se të nisin ndeshjet në eliminatoret e Botërorit.

Një tjetër ndeshje si protagonist, pavarësisht se kritikat për të nuk rreshtin kurrë. Por Kristjan Asllani ka vendosur që të përgjigjet në fushën e lojës për të gjithë. Ai e di shumë mirë që ka mbështetjen e klubit dhe të trajnerit Simone Inzagi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka folur për “SKY” pas ndeshjes së fituar në Pragë kundër Spartës së Qazim Laçit. “Kur nuk i mbyll ndeshjet është pak e vështirë sepse janë të hapura deri në fund dhe kjo shndërrohet në një problem. Por jemi të lumtur sepse e dinim që nuk do të ishte një ndeshje e lehtë për t’u fituar. U treguam të zotët dhe morëm në shtëpi 3 pikë të rëndësishme për t’u kualifikuar në fazën e ardhshme të Championsit”, u shpreh fillimisht Kristjan Asllani.

Qëndrimi

Më tej ai foli edhe për rëndësinë e të qenit në një skuadër të fortë dhe tregoi objektivat që kanë zikaltrit në këtë Champions. “Duhet të ndihemi të fortë sepse në fakt jemi të tillë. Të gjithë punojmë shumë mirë gjatë ditëve. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por duhet të luftojmë për të shkuar deri në fund të Champions-it. Interi i di mirë objektivat që ka. Jemi skuadër e fortë dhe duhet t’i marrim të gjitha ndeshjet një nga një. E rëndësishme është që të kualifikohemi fillimisht mes 8 më të mirave dhe pastaj të shohim sa larg mund të shkojmë”, shtoi më tej mesfushori i Kombëtares Shqiptare të Futbollit.

Mbrojtësi/ Mario Mitaj mund të blihet nga sauditët për 5 mln euro

Mitaj është në huazim nga Lokomotiva e Moskës, me të drejtën e blerjes. Për të janë paguar 1.2 milionë euro nga klubi arab për huazimin, ndërsa është menduar që klauzola e shitjes që është përcaktuar për tu aktivizuar në muajin maj, të hyjë në lojë që tani. Al Itihadi është në bisedime me rusët dhe klauzola e blerjes do të aktivizohet këto ditë, për një shumë më të ulët se sa është rënë dakord, teksa zyrtarizimi pritet që të bëhet ditët në vijim. Duke qenë se opsioni i blerjes është në maj, agjenti dhe negociatori mes palëve sugjeroi që shuma të paguhet tani, me kusht që vlera e marrëveshjes të ulet me 15-30 %. Rusët e kanë pranuar diçka të tillë, për shkak të nevojës së tyre financiare. Flitet se për Mitajn, Lokomotiva e Moskës në verën e kaluar ka rënë dakord për ta shitur në një vlerë prej 5 milionë eurosh.

Scroll to Top