Polici i dehur shkakton aksident me dy të plagosur, arrestohet polici

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një oficer i policisë në Gjirokastër është vënë në prrangat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi shkaktoi një aksident me dy të plagosur.

AMP thotë se polici me inicialet D.C ishte në gjendje të dehur kur përplasit një makinë tjetër në aksin Këlcyrë-Përmet.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor D. C., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, DVP Gjirokastër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit tip “Citroen” në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur fshati Ribaj është përplasur me mjetin tip “Nisan”, ku si pasojë kanë ngelur të dëmtuar pasagjerët e mjetit tjetër, shtetasit D. H., 57 vjeç dhe shtetasi R. S., 59 vjeç, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Përmetit, janë larguar për në banesë.

Nga verifikimi me testin matës të alkoolit ai rezultoi pozitiv në masën 1.19 mg/l në testin e parë dhe 1.21 mg/l në testin e dytë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Scroll to Top