Veliaj reagon nga paraburgimi: ‘Hetimi është idiotësi!

Editor
4 Min Read

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish ditën e sotme nga paraburgimi i Durrësit. Në reagimin e tij, Veliaj ka sqaruar se pse telefoni i tij ka lëshuar sinjal 87 herë në zonën e Kavajës. Sipas Veliajt, kjo ka ndodhur sepse gjatë vitit 2023 ka drejtuar fushatën politike të PS në Rrogozhinë e Kavajë.

Reagimi i plotë i Erion Veliaj:

Përshëndetje të dashur miq, uroj të jeni mirë!

Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.

Veliaj telefon në burg? Gazetarja zbulon DETAJE: Ja kush e vizitoi dje në qeli

Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia. Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë, e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe SPAK-ut një turp të tillë.

Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar. Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.

Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët – pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.

Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.

Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al