
Policia e Vjenës ka nisur një operacion masiv kërkimi të hënën pas një kërcënimi të paspecifikuar në Stacionin Qendror të Vjenës (Hauptbahnhof), duke ndaluar trafikun hekurudhor dhe evakuuar zonën.
Sipas mediave ndërkombëtare, forca të shumta policore ishin të pranishme në vendngjarje, ndërsa autoritetet bllokuan të gjitha rrugët përreth stacionit, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin qëndrimin në zonë.
Operacioni zgjati rreth një orë dhe në përfundim të kërkimeve, policia njoftoi se nuk u gjet asnjë objekt i dyshimtë.
“Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë kolegët, shërbimet e urgjencës dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe zbatimin e shpejtë të udhëzimeve”, shkroi policia në një postim në X.
Ende nuk dihet natyra e saktë e kërcënimit, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar origjinën e tij..