
Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA njoftoi të martën më 4 mars vendimarrjen për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Vlorës, Erjon Çelaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Çelajt.
Prokurori i Vlorës, Erion Çelaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 21 shtator të vitit 2021 për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe për cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
Erion Çelaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punoi fillimisht si prokuror në Përmet dhe në Fier. Prej vitit 2008 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Vlorë./ BIRN