
Futbollisti i ekipit të Flamurtarit, Sodiq Atanda është plagosur me thikë pasditen e sotme në Vlorë.
31-vjeçari nga Nigeria është transportuar drejt spitalit të Vlorës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Fillimisht u raportua se ishte tentuar grabitja e tij, por sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit.
Pasi është mjekuar në spital, për një plagë jo serioze, futbollisti është shoqëruar në komisariat ku ka rrëfyer ngjarjen.
Raportohet se policia ka arritur të identifikojë autorin dhe po punon për kapjen e tij.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Kali i Trojës”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka mbetur i dëmtuar lehtë në dorë, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasi S. A., 31 vjeç, me origjinë nigeriane. Pas marrjes së mjekimit në spital, 31-vjeçari është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin për rastin.
Falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. B., 21 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij, i cili paraprakisht dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.