
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka njoftuar sot për zhvillimet e hetimeve pas zjarrit tragjik në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona.
Deri më tani, autoritetet kanë arrestuar 18 persona dhe kanë ndaluar 16 të tjerë, ndërsa janë marrë në pyetje gjithsej 71 persona – 42 në Shkup dhe 29 në Koçan. Nga të ndaluarit, 14 persona janë vendosur në paraburgim 48-orësh.
Sipas Toshkovskit, 11 persona dyshohen për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa tre të tjerë për “operim jo të rregullt”. Një nga të arrestuarit e fundit akuzohet për përpilimin e dokumenteve të nevojshme për licencimin e diskotekës në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar rregulloret e sigurisë.
Ka baza të forta për të besuar se dokumentet thelbësore janë hartuar në mënyrë të paligjshme dhe pa vlerësim të gjendjes faktike, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e diskotekës”, tha ministri Toshkovski.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.