
Lezhë, 12 prill 2025 – Policia e Lezhës ka identifikuar dhe ndaluar personat e përfshirë në një konflikt të dhunshëm të ndodhur mesditën e djeshme, më 11 prill, në qytetin e Lezhës. Ngjarja, e ndodhur rreth orës 12:02, nisi fillimisht si një përplasje fizike dhe më pas eskaloi në dhunë me mjete të forta dhe përplasje me automjet.
Në vijim të hetimeve të thelluara nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, u arrestuan në flagrancë dy shtetas:
Fatjon Gjini, 34 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
Ervin Nika, 37 vjeç, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim katër shtetas:
Redian Margjonaj, 20 vjeç, banues në Tale
Kevin Ndoka, 20 vjeç
A. D., 15 vjeç
A. M., 17 vjeç
Sipas Policisë, konflikti nisi pasi Fatjon Gjini dhe Ervin Nika goditën me mjete të forta Redian Margjonajn. Ky i fundit, bashkë me tre shokët e tij (të shpallur në kërkim), reaguan duke përplasur automjetin mbi Fatjon Gjinin dhe më pas e goditën atë me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Policia e Lezhës po vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.