
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Suspend 1”, duke goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit me qëllim shitjen. Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar dy shtetas, Dejvi Naçi 21 vjeç dhe Albi Spahaj, 24 vjeç, të dy banues në Fier.
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, dhe si pasojë e hetimeve të kryera me metoda proaktive, u sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak që dyshohet se 21-vjeçari e kishte për t’ia shitur në Tiranë.
Përveç 21-vjeçarit, u arrestua edhe një tjetër person, A. S., 24 vjeç, i cili u ndalua për moskallëzim krimi, pasi ai shoqëronte 21-vjeçarin dhe nuk raportoi aktivitetin kriminal.