
Një shpërthim i dyshuar ka ndodhur paraditen e së premtes në makinën private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari. Incidenti ndodhi rreth orës 10:00 në parkingun e spitalit, ndërsa autoritetet raportojnë për dëme materiale, por jo për persona të lënduar.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se është sinjalizuar për një shpërthim në një veturë dhe se menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme, përfshirë edhe angazhimin e njësisë anti-bombë për të kontrolluar mjetin.
Ngjarja ndodhi në kohën kur në ambientet e administratës qendrore të QKUK-së po bëheshin përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të këtij institucioni. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës tha në një deklaratë se “dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura”.