
Policia italiane zbardhi detaje nga operacioni më i fundit i arrestimit të një shqiptari në Piza, me një ngarkesë 21 kg kokainë të fshehur në depon e shtëpisë dhe arsenal armatimi gati për “luftë”.
Karabinierët e kompanisë Firence Oltrarno, me mbështetjen e forcave të Pizës në Firence publikuan edhe foto nga ky aksion, ku ra në sy detaji se pakot e drogës ishin të stampuara me markën “CR7”, të futbollistit portugez Cristiano Ronaldo.
Aksioni u krye në apartamentin e shqiptarit, në zonën e Pisano, në Calambrone. Karabinierët dyshonin për lëvizjet e pazakonta të makinës së përdorur nga i dyshuari, të cilat, pas një sërë operacionesh vëzhgimi, i lejuan ata të identifikonin depon e vërtetë të drogës.
Droga ishte e ndarë në 21 pako një kilogramëshe. U gjetën dhe sekuestruan një armë automatike “Kallashnikov”, një pistoletë, disa telefona, materiale paketimi për fishekët dhe dozat e drogës, informon media italiane.
Droga vlerësohet me një çmim prej të paktën 600 mijë eurosh në tregun e shumicës, por që fitimet trefishoheshin pas prerjes së saj