
Prishtinë, 9 maj 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme kryeqytetin, ku një grua është plagosur me thikë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime policore, incidenti ka ndodhur rreth orës 15:08 në rrugën “B”, pranë ordinancës stomatologjike “Alba Dent”. Viktima, R.I., 31 vjeç, dyshohet se është sulmuar me thikë në dorë nga bashkëshorti i saj, Festim Isufi.
Njësia policore ka ndërhyrë menjëherë dhe ka dërguar të lënduarën për trajtim mjekësor. Sipas burimeve, ajo është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Festim Isufi është gjetur i vdekur në banesën e tij në rrugën “B”, tek ndërtesa “Dervisholli”, kati i gjashtë, hyrja 18. Mjekët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar vdekjen, ndërsa dyshohet se autori i plagosjes ka kryer vetëvrasje pas aktit.
Njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe hetuesit ndodhen në të dy vendngjarjet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie, që sipas të dhënave të para lidhet me dhunë në marrëdhënie intime.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare.