
Në futbollin modern rezultatet vijnë para gjithçkaje, por Xavi Hernández mendon ndryshe. Ish-trajneri i Barcelonës thekson se projektet kërkojnë durim për të dhënë fryte dhe si shembull përmend gjendjen aktuale të skuadrës katalanase:
“Duhet kohë, Barcelona është ende në proces ndërtimi. Kur e thashë këtë si trajner, më kritikuan, por kujtoni: Lamine është 17 vjeç, Cubarsí 18, Pedri 22, Gavi 20 dhe Baldé 21. Fatkeqësisht, nëse nuk fiton asgjë brenda një sezoni, njerëzit kapen nga paniku”.
Në një intervistë për “The Athletic”, Xavi përmendi edhe Manchester United dhe punën e Ruben Amorim si shembuj të projekteve që kanë nevojë për kohë e durim: “E di çfarë po përpiqet të bëjë Amorim.
Ndodhet në fillim të projektit, ajo që shoh është se lojtarët duan të luftojnë për të. Kjo është thelbësore. Simeone është një tjetër shembull. Pavarësisht nëse ju pëlqen stili i tij apo jo, lojtarët vrapojnë dhe luftojnë për të”.
Xavi gjithashtu doli në mbrojtje të Carlo Ancelottit, rivalit të tij në sezonet e fundit, i cili shpesh është kritikuar, pavarësisht rekordeve të arritura: “Nuk është e drejtë. Ai ka fituar 30 tituj në 10 vite dhe e kritikojnë sikur s’ka fituar kurrë asgjë.
Ernesto Valverde e tha më së miri: Nëse kritikojnë Ancelottin, çfarë shprese kemi ne të tjerët? Presioni në Spanjë është shumë i madh, sidomos te Barcelona dhe Real Madridi”.