
Aksident në Lezhë: Shoferi godet dy këmbësore dhe largohet nga vendngjarja, arrestohet më pas në gjendje të dehur
Lezhë – Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme, rreth orës 16:30, në lagjen “Gurra” të qytetit të Lezhës, ku një automjet ka përplasur dy këmbësore dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, 27-vjeçari A. J., duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar shtetaset P. D., 59 vjeçe, dhe Xh. D., 20 vjeçe.
Të dyja të dëmtuarat janë dërguar në spital, ku mësohet se 59-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas disa orësh, drejtuesi i automjetit është lokalizuar dhe është shoqëruar në ambientet e Policisë së Lezhës. Nga testimi me aparatin e alkoolit, rezultoi se ai ndodhej në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
27-vjeçari A. J. është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë tre akuza penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore. /noa.al