
Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit pasi dyshohet se ka kryer 4 vjedhje në subjekte tregtare gjatë natës së 19 majit. Operacioni policor i koduar “Four” u finalizua me ndalimin e të dyshuarit Ysen Driza, banues në Radostinë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Driza, i cili rezulton me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe i dënuar më parë për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve, ka hyrë me thyerje në 4 dyqane të ndryshme në Fier, nga ku ka marrë shuma parash dhe dy celularë.
Hetimet nisën pas kallëzimeve të disa qytetarëve dhe u zhvilluan në bazë të provave të mbledhura, përfshirë pamjet nga kamerat e sigurisë. Policia thekson se hetimet vijojnë për të zbardhur edhe ngjarje të tjera të ngjashme ku Driza mund të jetë i përfshirë.