
Në kuadër të megaoperacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, policia ka zbuluar një serë me bimë narkotike kanabis në fshatin Thumanë të Krujës.
Gjatë kontrollit të territorit me dronë dhe nga toka, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë identifikuan një serë ku kultivoheshin bimët narkotike. Menjëherë u organizua ndërhyrja, ku u arrestua në flagrancë një 28-vjeçar, banues në Thumanë, teksa po kujdesej për bimët.
Sipas autoriteteve, bimët narkotike janë asgjësuar nëpërmjet djegies.
Gjithashtu, i riu rezulton të ketë qenë në kërkim nga drejtësia, pasi Gjykata e Tiranës i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.”
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.