
Një postim i thjeshtë në rrjetin social Facebook ka përfshirë në një vorbull akuzash dhe presionesh qytetarin shqiptar Sinan Patozi, punonjës i postës private DHL në Firence të Italisë. Ngjarja ka marrë përmasa politike, me figura të njohura të opozitës që e akuzojnë se ka qenë i përfshirë në manipulimin e votave të emigrantëve për zgjedhjet e 11 maji.
Në një intervistë për emisionin investigativ “Fiks Fare”, Patozi deklaroi se gjithçka nisi kur publikoi në profilin e tij personal në Facebook një foto me disa fletë votimi në dorë. Ai thekson se fotografia ishte bërë në ambientet e punës, të cilat janë të pajisura me kamera sigurie dhe nuk kishte asnjë qëllim të keq pas postimit.
“Unë nuk i kam hapur fletët e votimit, as nuk kam pasur mundësi ta bëj këtë. Unë punoj si shpërndarës dhe fletët e votimit i merrte një koleg tjetër për t’i çuar në banesat e emigrantëve. Ato plotësoheshin nga qytetarët dhe mblidheshin më pas,” tha Patozi.