
Një banesë në Vlorë në lagjen “Pavarësia”, në zonën e njohur si “Albano dhe Romina”, ka rrezikuar të shkrumbohet nga flakët pak momente më parë, si pasojë e një incidenti në sobën e gatimit.
Një i moshuar që jetonte i vetëm kishte harruar sobën ndezur, ndërsa në zjarr ndodhej një tenxhere me presion.
Tymi që dilte nga dritarja alarmoi banorët e zonës, të cilët reaguan menjëherë duke njoftuar shërbimin zjarrfikës të Vlorës. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse bëri të mundur neutralizimin e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në të gjithë banesën.