
Armis Stafa alias Armees Stafa do të ekstradohet këtë të mërkurë në tokën shqiptare. 36-vjeçari, kushëriri i dy vëllezërve Çopja, Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët kishin ngritur një perandori kriminale në Elbasan, u arrestua në maj të këtj viti.
“Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted” u kap në Dubai me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi Armis Stafa alias Armees Stafa, 36 vjeç, i lindur në Elbasan”, njoftoi Policia më herët,
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
36-vjeçari akuzohet në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, se në bashkëpunim me të tjerë, ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve Franc Gergely alias Franc Çopja dhe Hajdar Bako alias Hajdar Çopja (vëllezër), të përfituara nga veprimtari kriminale.