Vrasja, makina që nuk ndezi dhe 30 mijë euro – Çfarë tregoi i penduari për eliminimin e Albi Bashaliut

Jil
Jil
3 Min Read

“Makina nuk na ndezi, lekët na i dha babai i Laertit” – Rrëfimi i plotë i Artan Tafanit për vrasjen e Albi Bashaliut

Tiranë, 11 qershor 2025 – Artan Tafani, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe pjesë e grupit të Laert Haxhiut, ka dhënë një tjetër dëshmi të detajuar në Gjykatën e Posaçme, ku ka rrëfyer të gjithë skenarin e vrasjes së Albi Bashaliut, ndodhur mëngjesin e 27 dhjetorit 2021 në Peqin.

Tafani ka treguar se pas ekzekutimit, ai dhe bashkëpunëtorët u përballën me një problem teknik: makina me të cilën kishin planifikuar të largoheshin nuk po ndizej. Për të shmangur çdo gjurmë, ata vendosën ta digjnin mjetin, pranë vendit ku kishin lënë një automjet tjetër për t’u larguar.

“Pasi mbaruam punë nuk na ndizej makina. E dogjëm makinën te vendi ku kishim lënë makinën tjetër për të ikur. Fshiva timonin që e kisha prekur. U nisa me vrap drejt rrugës kryesore,” – deklaroi Tafani në sallën e gjyqit.

Sipas tij, pas atentatit, grupi mori rrugën drejt Tiranës. Makinën “Benz” që kishin përdorur më pas e lanë pranë rrethrrotullimit të Astirit, duke u përpjekur të shmangnin rrugët kryesore dhe të lëviznin sa më shumë në këmbë, për të humbur gjurmët.

Lidhur me pagesën për vrasjen, Tafani tregoi se shuma totale ishte 30 mijë euro, të cilat – sipas tij – u dhanë në dy këste. Ai specifikoi se një pjesë të parave ia kishte dhënë babai i Laert Haxhiut, shtetasi Qamil Haxhiu.

Sipas deklarimeve të Tafanit, Laert Haxhiu ka qenë organizatori i atentatit dhe ndarja e pagesës ishte bërë mes anëtarëve të përfshirë në krim.

Kujtojmë se Albi Bashaliu u gjet i pajetë në rrugë nga të afërmit e tij, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet. Në atë kohë, dëshmitarët pohuan se autorët dogjën mjetin që përdorën për krimin, morën çelësat e makinës së Bashaliut dhe u larguan me mjetin e tij. Rrëfimi i Tafanit konfirmon këto elemente dhe sjell për herë të parë detaje të brendshme për mënyrën e realizimit dhe shpërblimin e atentatit.

Dëshmia e tij është pjesë e një dosjeje më të gjerë që po hetohet nga SPAK për strukturat kriminale të përfshira në vrasje me pagesë, porosi dhe hakmarrje në zonën e Peqinit, Elbasanit dhe Tiranës. Procesi gjyqësor dhe hetimet e SPAK vijojnë.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania