
Pamje të reja nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar detaje tronditëse për tentativën e vrasjes së senatorit kolumbian Miguel Uribe Turbay më 7 qershor në lagjen Modelia të Bogotës. Sulmi, që u cilësua fillimisht si akt i izoluar, rezulton të ketë qenë i organizuar dhe me pagesë, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Videot e siguruara nga Noticias Caracol tregojnë momentin kur dy persona mbërrijnë me motoçikletë në zonën ku po mbahej tubimi politik. Njëri prej tyre, tashmë i arrestuar, rezultoi të ishte një i mitur që kreu sulmin me armë ndaj senatorit.
Pamjet tregojnë qartë se i dyshuari lëvizte në mënyrë të koordinuar me një automjet tjetër që e ndoqi gjatë gjithë itinerarit të tij, çka sugjeron përfshirjen e një rrjeti të organizuar.