
Nga 242 pasagjerët që ndodheshin në bord, vetëm një person ka mbijetuar – një 40-vjeçar britanik, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Autoritetet indiane janë duke punuar për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave në tokë, pasi aeroplani goditi disa banesa para se të përplasej plotësisht.
Mjekët në Indi kanë konfirmuar se janë gjetur 270 trupa të pajetë në vendin e rrëzimit të avionit në qytetin Ahmedabad, që ndodhi të enjten. Aeroplani, i cili ishte nisur me destinacion Londrën, u rrëzua në një zonë të banuar pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të rënda ajrore të viteve të fundit.
Procesi i identifikimit të viktimave është i ngadalshëm dhe kërkon krahasimin e mostrave të ADN-së me të dhënat e familjarëve, ndërsa autoritetet po vijojnë ende punën për saktësimin e numrit të persoave që humbën jetën duke mos qenë në avion, por në zonën ku ai u përplas.
Zyrtarët kanë thënë se shumë prej trupave janë në gjendje të dëmtuar rëndë, gjë që e vështirëson ndjeshëm procesin e konfirmimit të identiteteve.
Në nder të viktimave, janë mbajtur vigjilje përkujtimore në disa qytete në Indi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore në rajon. Autoritetet ndërkombëtare dhe agjencitë e aviacionit po hetojnë shkaqet e aksidentit.