
TIRANË- Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e një apartamenti në zonën e Kodrës së Diellit, që dyshohet se i përket kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës.
Apeli i GJKKO rrëzoi ankimimin e bërë nga kompania “AgiKons” sh.p.k., e cila kishte kundërshtuar vendimin e marrë në muaj majin ku ishte vendosur masa e sekuestros pasurore mbi pasurinë e paluajtshme në fjalë. Gjykata vendosi të miratojë në tërësi vendimin e mëparshëm, duke e konsideruar të ligjshëm sekuestrimin e apartamentit.
Gjithashtu sot në GJKKO, Prokuroria e Posaçme do të prezantojë raportin 2-mujor të hetimeve ndaj kryebashkiakut Veliaj. Prezantimi i raportit do të mbahej ditën e premte më datë 13 qershor, por u shty për shkak se në seancë mungonte biznesmeni Elman Abule, i cili është nën masën “arrest në shtëpi”.
Në seancën e sotme, Veliaj nuk është paraqitur në GJKKO, por është përfaqësuar vetëm nga avokati i tij mbrojtjes. Ndërkohë që në seancën e sotme, biznesmeni Abule ka marrë pjesë.