
BELSH- Belshi dhe zona e Dumresë janë përfshirë sot nga një stuhi me reshje të dendura shiu e breshëri të shoqëruara me erë të fortë. Sipas raportimeve paraprake situata atmosferike ka sjellë pasoja serioze në infrastrukturë dhe ka paralizuar qarkullimin në disa rrugë të qytetit.
Bëhet me dije se uji i tepërt ka tejkaluar kapacitetin e kolektorëve, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet. Ndërkohë era e fortë ka vështirësuar edhe ndërhyrjet e shërbimeve të emergjencës.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesë dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme deri në stabilizimin e motit.