
Një 18-vjeçar i identifikuar si Orgen Lataj është arrestuar nga Policia pasi dyshohet se ditën e djeshme ka goditur me thikë 23-vjeçarin Artur Buçpapaj për motive të dobëta. Bëhet me dije se është arrestuar edhe një 21-vjeçar Alfred Hasandocaj për moskallëzim krimi. 23-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashte rrezikut për jetën.
Njoftim i Policisë:
Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Dojan, ku u plagos me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. B., specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Kukës arrestuan shtetasit:
-O. L., 18 vjeç, banues në Bajram Curri, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë;
-A. H., 21 vjeç, banues në fshatin Dojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se në fshatin Dojan, shtetasi O. L. është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A. B. dhe e ka goditur atë, me mjet prerës thikë.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin e dëmtuar, A. B., 23 vjeç, banues në Tropojë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
23-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashte rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Kukës, për veprime të mëtejshme.