
Tiranë – Finalizohet operacioni “Kontigjenti”: arrestime dhe sekuestrime pas kontrolleve për armëmbajtje pa leje
Policia e Tiranës ka zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit një operacion të gjerë në kuadër të kontrollit të territorit dhe ndalimit të personave që qarkullojnë me armë zjarri. Operacioni i koduar “Kontigjenti” është ndërmarrë nga Komisariati Nr. 5, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin për Gjurmimin e Aseteve Kriminale, duke u mbështetur te informacionet e siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i këtij operacioni:
Janë goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Janë sekuestruar dy pistoleta, sasi municioni luftarak dhe rreth 40 mijë euro, të dyshuara si të ardhura nga veprimtari të paligjshme.
Janë arrestuar dy shtetas, ndërsa një tjetër është proceduar në gjendje të lirë për pengim të drejtësisë.
Rastet konkrete:
1. Në rrugën “George W. Bush”, u ndalua për kontroll shtetasi Petrit Kurti, 21 vjeç, i cili u kap në posedim të një pistolete me municion. Ai ndodhej në shoqërinë e xhaxhait të tij, A. K., 46 vjeç, i cili është proceduar në gjendje të lirë për dhënie të deklaratave të rreme dhe pengim të hetimeve.
2. Në rrugën “Dritan Hoxha”, gjatë kontrollit në automjetin e drejtuar nga Halit Ajazi, 30 vjeç, u gjet një armë zjarri për të cilën kishte leje vetëm për mbajtje në banesë, si dhe 40 000 euro, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion. Paratë dyshohen se mund të jenë produkt i veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vijimin e hetimeve dhe ndjekje të mëtejshme penale.