
Në një kontinent që mat progresin me statistika, renditjet duket se janë bërë pasioni ynë i ri kombëtar. Jo për të parë veten në krye — ky është luks për vendet që prodhojnë teknologji, eksportojnë dije apo garantojnë jetesë cilësore për qytetarët e tyre — por për të fituar trofeun e artë të vendeve që përmenden gjithmonë në fund të listës. Po të kishte ndonjë kampionat për vendet që performojnë keq me stil, Shqipëria do të ishte në podium.
Le të fillojmë me ushqimet. Sipas të dhënave të Eurostat, për herë të parë në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Europë. Po, më të shtrenjta se në Greqi, në Kroaci apo në Poloni, vende që jo vetëm kanë paga më të larta, por edhe sektorë bujqësorë të organizuar e të subvencionuar nga politika të qëndrueshme. Ndërsa te ne, domatja i vjen konsumatorit me çmimin e një ore pune – nëse ka punë – dhe ushqimi po shndërrohet nga nevojë bazë në mall luksi. Kalojmë te të ardhurat. Po sipas Eurostat-it, Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të ardhura për frymë, edhe në vitin 2024.