
Prishtinë, 28 Qershor 2025 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, e ka cilësuar këtë takim si një “aktrim” dhe të pasuksesshëm, duke akuzuar Kurtin se po vepron vetëm për të përmbushur formalitetet që i kërkon Gjykata Kushtetuese, pa dëshirë reale për kompromis.
“Takimi i thirrur nga Kurti për të përmbushur detyrimin ligjor për konsultime në mirëbesim, siç kërkon aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, rezultoi i pasuksesshëm. Përkundër situatës së ndërlikuar, Kurti mbeti i njëjtë. Mentaliteti imponues vazhdon të jetë më i rëndësishëm për të sesa gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës,” deklaroi Krasniqi.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për refuzimin e votimit të fshehtë në komisionin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një shenjë të mungesës së vullnetit për kompromis.
Takimi i liderëve u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, proces i cili sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga aktgjykimi i fundit.