
GREQIA- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shën Parashki të Greqisë pasditen e së premtes, ku një 43-vjeçar ende i paidentifikuar është ekzekutuar me armë zjarri. Mediat greke shkruajnë se viktima është me nënshtetësi të huaj dhe se shkak i krimit janë mosmarrëveshjet personale.
Ai nuk rezulton me precedentë penalë në Greqi ndërkohë policia deklaroi se po kërkonin një “burrë të gjatë me rroba të zeza”. Sipas mediave në vendin fqinj, ky nuk është një krim i organizuar, por gjithçka tregon për një vrasje të motivuar nga mosmarrëveshje personale.
Viktima kishte çelësat e shtëpisë me vete kur u gjet, ndërsa në vendngjarje u gjetën shtatë gëzhoja. Autori nuk iku në këmbë, por arriti në një pikë dhe prej andej po hetohet nëse dikush tjetër e priste që e ndihmoi të arratisej. Viktima u gjet i vdekur dje pasdite në rrugën Irini në Agia Paraskevi dhe është qëlluar me të paktën tre plumba në qafë.
Sipas dëshmive, autori i krimit kishte veshur rroba të zeza e maskë dhe dyshohet se është larguar me vrap drejt rrugës Evergetou Giavasis.