SPAK ndjek jetën luksoze në rrjetet sociale: TikTok, Instagram dhe YouTube si mjete hetimi për paratë e pista

Jil
Jil
2 Min Read

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shtuar përpjekjet për të gjurmuar pasuritë e pajustifikuara të personave nën hetim, duke përdorur intensivisht edhe rrjetet sociale si pjesë të analizës financiare dhe penale.

Sipas një udhëzimi të brendshëm të siguruar nga Top Channel, agjentët e SPAK nuk mjaftohen më vetëm me databazat shtetërore, por monitorojnë në mënyrë aktive profilet në TikTok, Instagram, YouTube dhe platforma të tjera publike. Qëllimi është të identifikohen të ardhurat e fshehura dhe mënyrat e investimit të parave të dyshuara si të paligjshme.

Përmes analizës së postimeve, fotove, komenteve dhe videove, hetuesit ndërtojnë një pasqyrë të stilit të jetesës, rrethit shoqëror, pasurive të tundshme e të patundshme, si dhe mjeteve të transportit që përdoren realisht nga personat nën hetim dhe të afërmit e tyre.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar SPAK ka sekuestruar rreth 65 milionë euro në asete të dyshuara si pjesë e aktivitetit kriminal. Nga këto, 36.7 milionë euro janë konfiskuar përfundimisht dhe janë kaluar në pronësi të shtetit me vendime gjyqësore të formës së prerë.

Çështjet që lidhen me sekuestrimet preventive shqyrtohen në Gjykatën e Posaçme, në seanca me dyer të mbyllura. Paralelisht me hetimet penale, zhvillohen hetime pasurore për të ndërtuar profilin financiar të të dyshuarve – një praktikë që po përdoret gjithnjë e më gjerësisht në përputhje me ligjin anti-mafia.

Megjithatë, avokatët mbrojtës kanë shprehur shqetësime për barrën e provës që bie mbi familjarët e personave nën hetim, duke theksuar se shumë prej tyre ndodhen në vështirësi për të justifikuar burimin e pasurive.

Sipas SPAK, investimi i të ardhurave të paligjshme vijon të shtrihet në fusha të ndryshme si ndërtimi, tregtia, blerja e apartamenteve, ullishta, automjete luksoze, ora të shtrenjta, flori, dhe së fundmi edhe kriptovaluta.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania