
Vlorë, 6 Korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetin social X për situatën e zaptimit të trotuareve në zonën bregdetare të Lungomares në Vlorë, duke bërë thirrje të fortë për çlirimin e menjëhershëm të hapësirave publike.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se trotuari është i njerëzve dhe nuk duhet të shndërrohet në “barrikada” të bizneseve, duke e konsideruar këtë hap të domosdoshëm për ngritjen e standardit të shërbimeve turistike dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik.
“Kjo nuk është një problem me karriget apo shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në qytetet e mëdha si Parisi, Londra apo New York-u, por duhet respektuar se hapësira është për njerëzit dhe jo për barrikadat siç po ndodh në Lungomarë,” shkruan Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Lungomarja duhet të jetë modeli modern i qytetit bregdetar dhe një shembull për dizajnin e jashtëm të vijës së shërbimeve turistike.
Ai u bëri thirrje pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve që të heqin vetë të gjitha barrikadat dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për një dizajn të ri, për të cilin do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë.
“Përveç ndërhyrjeve në strukturat ekzistuese, synimi është përmirësimi i funksionalitetit dhe pamjes estetike të vijës turistike, në përputhje me një standard të ri kombëtar për mikpritjen dhe shërbimin,” përfundoi Rama.