
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë tryezë me qeverinë aktuale për reformën territoriale, duke e konsideruar atë jo legjitime.
“PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të. Ai nuk ka legjitimitet,” u shpreh Berisha gjatë një deklarate për mediat që monitoroi noa.al.
Sipas tij, çdo diskutim për reformën zgjedhore mund të ndodhë vetëm mes partive politike, ku edhe Partia Socialiste si subjekt politik ka vendin e saj, por jo si qeveri. “Reforma zgjedhore është atribut i partive politike, jo i qeverisë,” tha ai.
Berisha akuzoi Ramën se kishte anuluar reformën e mëparshme zgjedhore, duke “vendosur dorën e tij të zezë mbi procesin” dhe duke diktuar një zgjidhje që sipas tij dëmtoi pluralizmin dhe rregullat e garës.
“Ka rekomandime ndërkombëtare dhe ne do t’i shqyrtojmë. Por jo me qeverinë, me qeverinë nuk kemi asnjë punë. Qeveria nuk ka legjitimitet në këto zgjedhje, e ka humbur,” përfundoi Berisha. /noa.al