
Një aksion që i përngjanë skenarëve të filmave ishte ai i policisë së Sarandës mbrëmjen e dijshme, ku si rezultat u vunë në pranga tre të rinj, Endri Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali.
Ata u ndaluan teksa udhëtonin me mjetin luksoz Porsche Panamera, ndërsa gjatë ndalimit Endri Doku u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit, si dhe për të hedhur armën e zjarrit që kishte me vete. Ndërsa dy emrat e parë rezultojnë pa precedentë penalë, Ervis Cukali është një emër i njohur për policinë.
Ky i fundit në vitin 2023 u shpall në kërkim si bashkëpunëtor i Albi Meçin, i cili është arrestuar si i dyshuar për rrëmbimin e bujshëm të Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë. Sipas policisë Cukali dyshohej se do të kryente vrasje për llogari të një grupi kriminal.
27-vjeçari ishte shpallur në kërkim me akuzat për “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.