Rama: Lirimi i hapësirave publike do të jetë Rilindja Urbane 2.0 në të gjitha qytetet e mëdha

Jil
Jil
25 Min Read

TIRANË- Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se Tirana është zona më e nxehtë në gjithë vendin për zaptimin ehapësirave publike, ku shtoi se çdo lagje ka zaptuesin e saj. Rama tha se 60 arkitektë të ndarë në 8 grupe do të projektojnë pikat se ku do të bëhen prishjet dhe do të lirohen hapësirat publike.

Këtë proces, kryeministri e ka cilësuar se do të jetë “Rilindja Urbane 2.0”. Ai tha se ky proces do të vijojë deri sa të konstatohet se nuk ka më tëndenca të kundërta lidhur me hapësirat publike.

“Tirana është zona më e nxehtë për zaptimin e hapësirave publike dhe nuk ka lagje që mos të ketë zaptuesin e vet. Ka filluar të bëhet punë e mirë por ka nevojë të vazhdohet në të gjithë territorin. Kemi ngritur një grup prej 60 arkitektësh lokalë, të ndarë në 8 grupe për projektimin e ripërtëritjes së pikave se ku do të bëhen prishjet dhe do të lirohen hapësirat.

Do të jetë Rilindja Urbane 2.0 në Tiranë dhe në qytetet e mëdha. Shkodra, Lezha që cuditërisht ose jo shumë kanë më pak problematika se në Lezhë drejton policia, pastaj Durrësi, Vlora e Fieri, Elbasani, Korça është po ashtu edhe pse nuk drejton policia me më pak problematika të kësaj natyre ndërkohë që në vijën bregdetare, duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë dhe tentativave për të ndërtuar pa leje. Do të jetë jo e lehtë, por e pandalshme, konstante dhe do të vazhdojë deri kur të konstatojmë që nuk ka më tendenca të kundërta. Është gjithmonë e më pak, por prapë është shumë.

Nuk mund të krahasohet me vite më parë nga pikëpamja e kaosit që krijohet por është tepër dhe duhet vënë kufiri përfundimisht gjithë kësaj veprimtarie abuzive në të gjithë territorin. Të vihet kufiri edhe me një aspekt tjetër.

Nuk ka pronë private rreth e përqark një pallati të ri. Leja e ndërtimit jepet për këtë ndërtim mbi një territor dhe prandaj ligji ka koeficientin e shfrytëzimit. Kur ti ke ndërtuar, e gjithë pjesa rreth është e jotja sa është e gjithë banorëve të tjerë.”, tha Rama.

Fjala e hapur për mediat sot në Tiranë, për performancën lokale në funksion të Shqipërisë 2030:

“Sot ritakohemi për të vazhduar adresimin e problematikes së hapësirave publike dhe në ndërkohë për të diskutuar mbi adresimin e atyre detyrave që u lanë herën e kaluar lidhur me bashkinë e Tiranës, por po ashtu këtu janë dhe gjithë drejtuesit e qarqeve pasi ky është një proces që po shtrihet hap pas hapi në të gjithë republikën dhe është shumë e rëndësishme që të gjithë deputetët të angazhohen intensivisht në qendrat e qarqeve ku problematika e hapësirave publike është më e prekshme. Përpara sesa hyj në disa detaje lidhur me vazhdimin e punës, dua të ndalem një moment tek çështja e Thethit për të adresuar dhe disa këndvështrime që në pikëpamjen time meritojnë që të adresohen në mënyrë që të bëhet shumë e qartë për të gjithë se cila është qasja jonë dhe cili do jetë qëndrimi ynë në vazhdim.

Së pari, kam vënë re që ka një teori shumë sipas meje, për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, lidhur me fajin, kush e ka fajin dhe duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Pra nga një anë kemi disa njerëz të shkretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa dhe nga ana tjetër kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasë.

Dua të sqaroj që këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, këtu bëhet fjalë për njerëz, individë që janë ngjitur deri atje në një pjesë të konsiderueshme të rasteve nuk janë banorë të atij vendi dhe madje në rastin flagrant që u bë dhe shkak i këtij procesi, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë dhe Policia e Shtetit po merret me hetimin e si ka ndodhur dhe kush është mbrapa pushtimit kriminal të qendrës së zemrës së Thethit që është kartolina e njohur e Thethit dhe bëhet fjalë për ndërtime të cilat nuk janë për të futur kokën, por janë për qëllim fitimi.

Nga ana tjetër unë nuk e di që të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit duke ia ngarkuar fajin strukturave të shtetit nëse nuk e parandalojnë shkeljen e ligjit ose nëse nuk e kapin shkelësin në sekondën kur ai fillon të bëjë shkeljen.

Natyrisht që edhe strukturat kanë përgjegjësinë e tyre dhe e kanë marrë këtë përgjegjësi, mbetet për tu parë se çfarë përgjegjësie do të marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë ligjor me zonjën Gjeli, e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin bazuar në denoncimet e bëra dhe dua të them që në Theth janë goditur 40 subjekte të cilat në një sërë rastesh kanë pasur më shumë sesa një ngrehinë, pra kanë pasur dhe nga dy dhe nga tre dhe Policia e Shtetit ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në Prokurori lidhur me këto subjekte dhe Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Gjithsesi Policia e Shtetit e ka marrë pjesën e vet të përgjegjësisë ashtu sikundër edhe bashkia e Shkodrës e ka marrë pjesën e vet të përgjegjësisë lidhur me inspektoratin për mbrojtjen e territorit.

Tjetra që dua ta theksoj sepse ka dhe një teori tjetër që e kishte nxjerr në pah dhe një prift çuditërisht dje që ma çoi dikush dhe u habita sesa një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori duke folur për joshje për rrena, sikur me demek ne i joshëm, i gënjyem dhe pastaj i premë në besë.

Ne nuk kemi prerë në besë askënd, ne kemi shkuar në Theth së bashku me kryetarin e Bashkisë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës dhe qysh se ne kemi shkuar dhe kemi premtuar legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, gjë që ishte problemi më kryesor i atyre banorëve autoktonë atje, ne e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 që të jem i saktë, legalizime që ata tani i disponojnë dhe kanë pronën e tyre në zonën e Thethit, pra premtimi ynë ka qenë “do legalizojmë pronën e gjyshërve”. Premtimi ynë nuk ka qenë dhe kurrë nuk e kemi bërë këtë në asnjë nivel dhe askush nga përfaqësuesit tanë në asnjë cep të Shqipërisë “na jepni votën ju dhe ndërtoni pa leje”.

Dhe të gjithë këto ndërtime që janë prishur deri në gurin e fundit janë ndërtime të bëra në muajt e fundit, nuk janë ndërtime të kohës kur ne kemi qenë aty. Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris jo vetëm nga disa prej banoreve por nga individë që s’kanë lidhje fare me Thethin, që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar. Ne kemi bërë legalizimet, kemi bërë planin urbanistik siç e kemi premtuar, kemi vendosur dhe financimin për të realizuar transformimin e nevojshëm në zonën qendrore të Thethit dhe ajo është një zonë e mbrojtur ku ndryshe nga çfarë dëgjova që predikohet po ashtu që me demek po i hapim rrugë oligarkëve megjithëse ne Shqipëri s’ka asnjë oligark, aty nuk bëhet fjalë për te lejuar ndërtime dhe për të bëre resorte turistike, është absolutisht jashtë çdo lloj opsioni.

Kështu që dua të them se të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuar në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane duke bërë zhurma. Kishte dal dhe një bajraktar tani së fundmi. Ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje fare me të vërtetën e kësaj historie dhe me marrëdhënien tonë me Thethin dhe me banorët e Thethit.

Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male, me kushtin që t’i drejtohen institucioneve dhe të marrin lejen përkatëse.

Madje kemi bërë dhe Paketën e Maleve për t’ua lehtësuar edhe më shumë, duke pasur parasysh që një pjesë e tyre nuk kanë tituj pronësie sepse në zona të caktuara nuk është njohur 7501, por teoria “pse në sezon”, “të prisni njëherë”, nuk kemi për të pritur dhe aq më tepër pastaj që kjo po bëhet në të gjithë Shqipërinë, po bëhet edhe në zonën e bregdetit. Dua t’iu them që në zonën e bregdetit ka patur një sërë goditjesh edhe prishje ndërtimesh nga ato të të ashtuquajtura oligark, po ato nuk dalin në televizor, se nuk i nxjerrin. Ama ka pasur edhe gjoba shumë të rënda për shkelje në ndërtime dhe për shkelje të rregullave në kantiere gjatë gjithë këtyre ditëve në bregdet.

Sot do të bëhet një konfiskim, i një “kuazi” pallati në ndërtim në qytetin e Vlorës, i cili është në shkelje të lejes së ndërtimit dhe ky proces është një proces që synon të bashkojë dy gjëra që të jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur, sepse kemi marrë përsipër të hyjnë në Bashkimin Europian dhe kemi marrë përsipër të përmbyllim procesin e legalizimeve brenda vitit 2028 ku hyjnë të gjitha digjitalizimi i hartave etj, etj. Por ama ta harroi kushdo qoftë që do të legalizoi çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji.

Historia ndërto sot, që të legalizosh nesër, nuk do të eci më dhe të gjitha ato ngrehina të ngritura për qëllim fitimi apo çdo lloj ngrehine e ngritur në cenim të hapësirës publike të infrastrukturës publike të projekteve të infrastrukturës, të zonave të mbrojtura, të infrastrukturës kritike do të rrafshohet. Nuk do të ketë asnjë tolerancë, asnjë dialog, asnjë ndalim më në këtë proces dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që gjitha skuadrat e deputetëve të cilat morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve dhe të jenë në anën e shumicës dërrmuese të njerëzve, të cilët janë penguar dhe pengohen çdo ditë në jetën e tyre komunitare nga ata që me guxim të tepërt, por edhe për shkak të mbylljes së syve të shumë forcave inspektimi në terren kanë pushtuar hapësirën publike.

Tirana është zona më e nxehtë edhe për shkak të atraksionit të madh që ka në të gjitha drejtimet dhe numrit të madh të konsumatorëve që ka dhe nuk ka lagje, nuk ka bllok banimi që të mos ketë zaptuesin e vet.

Ka filluar të bëhet një punë shumë e mirë nga kryeinspektori, por ka nevojë për tu vazhduar në të gjithë territorin dhe të gjitha ato të dhëna që po mblidhen nga deputetët në të gjithë zonat, do duhet të përkthehen në plane veprimi.

Paralelisht kemi ngritur një grup prej 60 arkitektësh lokalë të ndarë në tetë grupe. Persida ka marrë rolin e koordinatorit të këtyre grupeve për të filluar projektimin e ripërtëritjes së pikave ku do të bëhen prishje dhe ku do të lirohen hapësira.

Kjo do të jetë rilindja urbane 2.0 në Tiranë dhe në të gjithë qytetet e mëdha. Shkodra, Lezha që çuditërisht ose jo shumë çuditërisht ka më pak problematika, sepse në Lezhë drejton “policia”. Pastaj Durrësi, Tirana, Vlora, Fieri, Elbasani, Korça është po ashtu, edhe pse nuk drejton “policia” me më pak problematika të kësaj natyre.

Ndërkohë që në vijën bregdetare nuk po i numëroj të gjitha njësitë, duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithëve atyre që ndërtojnë dhe njëkohësisht ndaj të gjitha tentativave për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territorin. Do të jetë jo e lehtë, por do të jetë e pandalshme konstante dhe do të vazhdojë aq sa do të vazhdojë, deri kur të konstatojmë që nuk ka më tendenca të kundërta. Është gjithmonë, gjithmonë e më pak, por prapë është shumë. Nuk mund të krahasohet me vite më parë nga pikëpamja e kaosit që krijohet, por është tepër, edhe i duhet vënë kufiri përfundimisht të gjithë kësaj veprimtarie abuzive në të gjithë territorin, hapësira publike është e përbashkët dhe duhet vënë përfundimisht kufiri edhe në një aspekt tjetër.

E kam folur me të gjithë kryetarët e bashkive, e kam folur me të gjitha strukturat, nuk ka pronë private në rreth e përqark një pallati të ri. Leja e ndërtimit jepet për këtë ndërtim mbi një territor dhe prandaj ligji ka koeficientin e shfrytëzimit. Në momentin kur ti ke ndërtuar gjithë pjesa rreth e rrotull, është e jotja sa ç’është dhe të gjithë banorët e tjerë dhe siç është shkalla e pallatit, siç është ashensori, siç janë mjediset e përbashkëta, të përbashkëta, mjedisi rreth e rrotull pallatit është i përbashkët, madje nuk është i përbashkët vetëm për bashkëpronarët, është i përbashkët edhe për ata që jetojnë rreth e rrotull atje dhe për ata që duhet të kalojnë nga pika A në pikën B, se nuk janë kot rrugët dhe trotuaret që vendosen nëpër plane kur jepen lejet e ndërtimit dhe nuk mund të ketë trotuar privat.

Aq më tepër pastaj praktika të tmerrshme, si ato të vendosjes së një karrige, pastaj të një çadre, pastaj të një tende, pastaj të një strukture metalike dhe pastaj të një kërkese për tu legalizuar, siç ka ndodhur në disa raste skandaloze deri dhe në Lungomaren e Vlorës dhe të gjitha ato raste kur do dilet me pretendime legalizimesh në trotuare, do duhet t’i rikthejmë së prapthi. Për këtë temë do të bëjmë një reformë, po punojmë për ditë dhe shumë shpejt, mbase për shkak të emergjencës, për këtë vepër ujin e pijshëm që do të kalojë pak më pas, do na duhet të bëjmë deri në akt normativ dhe ato 83 vota do t’i vëmë në shërbim të të gjithë qytetarëve që kërkojnë një kapërcim përfundimtar nga Shqipëria europiane në zemër dhe në mendje, po jo në të përditshmen e vetë tek Shqipëria, anëtare e Bashkimit Europian.

Kështu që në këtë aspekt, besoj që po bëjmë gjënë e duhur dhe do vazhdojmë ta bëjmë, duke pasur parasysh që të gjithë ata që ishin në skuadrën e 11 majit të zgjedhur në parlamentin e ardhshëm apo jo, janë pjesë e kësaj skuadre që do të anëtarësojë Shqipërinë në BE dhe do duhet të jenë të lidhur me territorin; do duhet të jenë të lidhur me komunitetin, do duhet të jenë aty, për të marrë në kohë reale të gjitha shqetësimet dhe për të adresuar në kohë reale të gjitha problematikat.

Tani, kemi lënë një tjetër detyrë për të adresuar disa problematika në Bashkinë e Tiranës që lidhen me administrimin e një qyteti i cili rritet përditë, ku ka një ngarkesë shumë të madhe të nevojave që shtohet përditë; pastrimi, hapësira publike që po diskutojmë, furnizimi me ujë dhe me radhë të gjitha shërbimet e tjera dhe për këtë arsye kemi ngritur grupet e punës për të ndihmuar bashkinë me një reformë të brendshme organizative dhe me një reformë tërësore të shërbimeve.

Këto do të diskutohen më tutje nga pjesëtarët e grupeve të punës, në vijim me strukturat e bashkisë, por dua të vë theksin tek çështja e furnizimit me ujë, ku përfundimisht jemi të sigurtë që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit njësoj si operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike. Na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe na duhet një korporatë e re e cila të adresojë problemin e investimeve, të adresojë problemin e të gjitha marrëdhënieve me donatorë dhe me institucione financiare në të gjithë Shqipërinë që janë lesh e li dhe të adresojë problemin e fragmentarizimit të burimeve dhe fragmentarizimit të menaxhimit që pas 30 e kusur vitesh, është e kotë që të presim të na sjellë rezultate të dëshiruara edhe pse përmes çka përmirësime, nga bashkimi i operatorëve në territore të ndryshme, përmirësimet janë të dukshme por janë shumë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim e të presim kështu që qoftë për ujin, qoftë për trajtimin e mbetjeve, do të duhet të kalojmë në nivel kombëtar dhe do duhet të krijojmë sinergji me ndërmarrje, me korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë në një fazë të caktuar. Kjo do të na ndihmojmë, besojmë për 1001 arsye të çojmë në një nivel tjetër qoftë shërbimin e furnizimit me ujë, qoftë investimet dhe patjetër edhe transparencën në të gjitha këto procese ku ka shumë aktorë, ka shumë fragmentarizim dhe ka shumë humbje të të gjitha natyrave.

Kemi në sistemin e trajtimit të mbetjeve një hartë që sot është shumë më ndryshe nga ajo që ishte me thënë të drejtën, kur s’kishte fare trajtim mbetjesh por që duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.

Po ashtu meqenëse jemi këtu, jemi duke punuar intensivisht me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës. Është një domosdoshmëri dhe është një mundësi tanimë për të kaluar edhe tek furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në organizmin e kontratave dhe në furnizimin me naftë, gjë që kemi shumë besim që do të sjellë një kontroll shumë më efikas, qoftë mbi çmimin, qoftë mbi gjithë sistemin e qarkullimit të naftës dhe tjetra; e njëjta gjë, po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për çështjen e barnave mjekësore për furnizimin e të gjithë sistemit, qoftë atij publik, qoftë atij privat me barna dhe përsëri me shtetin si palë, si protagonist. Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi; të prodhojmë sukses duke u bërë palë, duke u bërë pjesë dhe për këtë arsye po të shikoni, kemi ndryshuar edhe gjithë qasjen ndaj pronës në tërësi prej kohësh tanimë dhe kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona, por merr pjesën e vet për llogari të qytetarëve.

E fundit që kam, është siguria ushqimore. Edhe këtu na duhet të hedhim hapa shumë të mëdha përpara sepse është një nga pikat më të dobëta që kemi në raport edhe me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe edhe këtu, me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së dhe fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve të AKU-së me gojë dhe me shkrim si dhe hapjen e mundësisë për të tjerë që të përfshihen në Agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë ndërkohë që nga sot dhe po shikoja informacionet para se të vija këtu, ka filluar procesi i kontrolleve dhe i konfiskimit të qumështit dhe të bulmetrave pa faturë. Domethënë pa siguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta ku largqoftë mund të ndodhin gjëra shumë të rënda në lëndim të shëndetit të konsumatorëve. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohet dhe kushdo që do ta tregtojë, do ta humbasë atë si mall dhe ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë përsa i përket sigurisë ushqimore.

Në tërësi besoj që do të jetë një punë që do të bazohet tek vazhdimësia, por do të jetë një punë që nuk do të jetë aq e vështirë sa do të ishte jo shumë vite më parë sepse baza është e vendosur dhe sepse shumica dërrmuese e qytetarëve janë tanimë shumë të qartë lidhur me këtë.

99% e qytetarëve, me llogari kjo, nuk ndërtojnë pa leje dhe ata 1% që e bëjnë këtë, nuk janë populli, nuk janë as të shkretë, nuk janë asgjë tjetër përveçse shkelës të vetëdijshëm të ligjit dhe asgjë nuk justifikon cënimin e pronës së përbashkët, hapësirave të përbashkëta apo ndërtimin kuturu qoftë dhe në pronën tënde. Kjo epokë duhet të konsiderohet e mbyllur.

Në mbyllje dua të them që ato 83 mandatet e marra, janë një barrë shumë e madhe për të gjithë ne, nuk janë një pushtet më shumë, por janë një përgjegjësi e madhe më shumë dhe duhet t’i përjetojmë si të tilla dhe kjo duhet të përçohet në të gjitha nivelet poshtë”.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania